Shefkije Islamaj - Kritikë letrare për librin e tretë

Poezi e ndjeshmërisë së veçantë

Autorja, Merita Përvetica- Lumley, është një poete e re që po zë vend të meritueshëm në poezinë shqipe të brezit të ri. Ajo ka botuar dy përmbledhje poezish, kurse dorëshkrimi që po shfletojmë këtu është libri i saj i tretë.

Dorëshkrimi Dielli im përfshin 48 poezi dhe ajo që mund të thuhet përmbledhtas për të është: poezia e Merita Përvetica - Lumley në këtë dorëshkrim shquhet për origjinalitet, natyrshmëri dhe ndjeshmëri të veçantë. Me këtë përmbledhje poezish, autorja sjell një notë të re dhe një mesazh të ri në lirikën e sotme mendimore shqipe. Poezia e  saj në këtë dorëshkrim dëshmon talentin e saj, ndjeshmërinë e hollë estetike, lehtësinë për shfaqur frymëzimin, stilin vetjak që dallohet për ngjeshje kuptimore e figurshmëri si dhe kulturën e dëshirueshme gjuhësore.

Poezitë e Merita Përveticës - Lumney në këtë dorëshkrim janë përfshirë në katër  ndarje të emërtuara me titujt: Dielli im, Faji im, Vaji im dhe Dheu im.

ndarjen e parë me titullin Dielli im janë përfshirë 13 poezi me karakter intimqë u kushtohen dashurisë, mallit, kujtimeve, shpresës, frikës, vetmisë, iluzioneve, dashurisë së pastër amtare, prindërore, njerëzore e atdhetare. Këto poezi shquhen me ndjeshmëri të lartë dha aktualizohen përmes bisedimit herë të drejtë e herë të zhdrejtë, të njëkahshëm. Më të shumtat i kushtohen të bijës së poetes, kurse bisedimi imagjinar me të shpalos jo vetëm ndjeshmërinë e lirizmin e poetes, po, sidomos, shpalos dëshirat e shpresat, frikën e ankthet e çdo nëne për fëmijën e saj. “Bisedimi” i poetes me të bijën, me nënën, me babanë, i kanë dhënë dorë asaj të lidhë të sotmen plot sfida për të e për njerëzit e atdheut të saj me të kaluarën, që është bërë pjesë e pandashme e kujtesës dhe e mendësisë së bartur nga e kaluara e saj, e prindërve dhe e stërgjyshërve të saj. Lidhshmëria midis tyre është shumë e natyrshme dhe spontane. Në këtë cikël poezish shquajmë poezitë: Trashëgimi yt, bija ime, Princesha, Ku e gjete qëndresën, Përkujtim për babanë tim, Kur tubohen copat e zemrës. Në këto poezi, autorja i afrohet lexuesit me një stil të thjeshtë, me një gjuhë të afërt, por me shumë ndjenjë: “Kosova në gusht / Është si pikat e shiut / Në shtratin e plasaritur të lumit; Kosova në gusht / Është si një fotografi e vjetër / Që të shikon ëmbëlsisht / Kur ia fshin pluhurin / E ia kthen shkëlqimin” (Kur tubohen copat e zemrës).

Poezitë e përfshira në këtë ndarje përçojnë jo vetëm shumë ndjesi të autores, po edhe shumë përjetime të cilat imponojnë edhe shumë pyetje që lidhen me identitetin e autores, me prejardhjen e saj, me sprovat, me njerëzit që përbëjnë jetën e saj, me ëndrrat e dëshirat. Përgjigjet në këto pyetje i gjejmë shumë lehtë, sepse poezia e saj identifikon qartë se autorja e saj është një shqiptare që mbart fatin e atdheut te saj, është një grua që, edhe pse jeton jashtë Kosove, ka jetën dhe përjetimet e një gruaje shqiptare, është një nënë që ka drojën për jetën e fëmijës së saj, është bijë e një trualli që ka pasur fatin jo të lehtë në historinë e në gjeografinë e saj, por, në të njëjtën kohë, identifikon edhe një grua që nuk i mjafton vetëm lumturia personale, një grua që nuk i mjafton vetëm liria e saj dhe e popullit të saj, një nënë që nuk ka drojën vetëm për fëmijën e saj, një grua që ka dëshirat e ankthet e çdo gruaje të globit, prandaj poezia e saj nuk është thjesht poezi lokale, shqiptare, por është poezi gjithënjerëzore.

ndarjen e dytë të titulluar Faji im janë përfshirë 17 poezi tematikash të ndryshme po që kanë një fill bashkues: dashurinë ndaj njeriut, ndaj tokës, ndaj lirisë, ndaj së vërtetës dhe ndaj së drejtës. Kosova, lufta e fundit që ka kaluar ajo, vuajtja, dhuna, viktimat, liria, paqja, falja janë temat bosht dhe fjalët çelës të këtyre poezive. Përmes një ligjërimi të pasur me leksik të përzgjedhur poetik (kurorë, margaritar, flatra, djep, oxhak, fis, ninullë, etj.) e me figura mitike e përrallore (kuçedra gojëzjarrtë, djalli, etj.) poetja shpërfaq preokupimet e saj, shpreh dëshirat, shpresat që lidhen më vendin e vendlindjen e saj, me lirinë e popullit të saj. Atdhe e Kosovë për poeten do të thotë njerëzit, gjuha, toka, nënat, farefisi, shtëpia e moçme stërgjyshore, lëndinat, rrahet, lirishtat, tingujt dhe imazhet e tyre. Është dramë tronditëse, është baladë, por është edhe poezi shpresëdhënëse. Vendlindja për të është përqafim që të ngroh, që të rrëqeth, që të jep qetësi e paqe. Ajo i drejtohet asaj sikur vetë njeriut: drejtpërdrejt, miqësisht dhe njerëzisht: Kosova ime e dashur / Kur ti lëngon / Vuan / Venitesh / Edhe shpresat e mia / I zënë ethet / I zë zjarrmia (E përdhosur). Fjala e saj e parë në takim me atdheun është gjithmonë dashuria, edhe kur shkruan për mallit, vuajtjen, qetësinë, brishtësinë, gëzimin. Për atdheun ka nderimin më të thellë, ka mahnitjen e adhurimin për qëndresën e tij në rrebeshe kohe. Me besim të plotë, me paqe në shpirt ajo shikon se si Kosova hapëron e lirë për të zënë kohën.

ndarjen e tretë me titullin Vaji im që sugjeron përmbajtjen e 8 poezive që përfshihen brenda saj, autorja duket se është lodhur nga vuajtja, pashpresa, dëshpërimi e zhgënjimi, prandaj poezia merr formën e një klithjeje që përmban edhe lutje, edhe dëshirë, edhe kërcënim:  Për ty / Foshnja ime / Botën do ta vë në kullojsë / Do t’i derdh / E zhduk përgjithmonë / Plumbat / Pushkët / Bombat / Tanket / Sëmundjet / Vjedhjet / Sunduesit / Mashtruesit / Ndeshjet / Përleshjet / Përqeshjet (Duke të pritur). Ajo do të bëjë të pamundurën për foshnjën e saj, për fëmijët e Kosovës, të viktimizuar e të pakursyer tmerrshëm në luftën e fundit. Ajo identifikon veten me Kosovën, të shkatërruar e të boshatisur, por ajo ka shpresë, ka guxim: Jam shtëpi / Shtëpi e vogël / Pa dyer / Pa dritare / Pa oxhak / Brenda meje / Jetojnë Shpresa dhe Guximi (Drejt dritës). Dhe, jo vetëm kaq. Ajo gjen fuqinë të shpreh zemërgjerësinë, dëshirën për paqe e pajtim, përmes urimeve shumë evokuese: Zoti e bekoftë armikun tim / Furtunën ia bëftë puhi / Përbuzjen ia bëftë dashuri / Zoti e bekoftë armikun tim / Tankun ia bëftë pallat / Minat ia bëftë dukat / Zoti e bekoftë armikun tim / Që unë / Nga urrejtja / Që po ma gërryen shpirtin / Sa më shpejt të gjej shërim, shpëtim / Lodrat e pikëlluara / I hodha nga dritarja / Në oborr të fqinjëve / Kah zërat e fëmijëve / Kah fytyrat e qeshura (Gjithçka është në rregull tash).

Poezitë e kësaj ndarjeje mbrujnë në vete përmbajtje të shumëkuptimshme dhe shprehen si dashuri e vërtetë, e sinqertë, ndaj atdheut, ndaj njeriut në përgjithësi, ndaj të kaluarës epike, të cilën e kanë shënjuar beteja e kryengritje, trimëri e vdekje të trimave, por edhe si shpresë e besim për të ardhmen e tij e të tyre. Dashuria e saj parakupton edhe Kosovën si gjeografi e histori, edhe shtigjet e livadhet, lumenjtë e kodrat, qiellin e zogjtë mbi male, lojën e, sidomos buzëqeshjen e fëmijëve, stërgjyshërit dhe pasardhësit, historinë, këngët e përrallat... Ajo shëtit në mënyrë poetike-realiste nëpër jetën e saj e nëpër jetën e atdheut të saj, njëjtë sikur të shëtiste me fluturimin e zogut a me hapin e vogël të fëmijës motak.

ndarjen e katërt Dheu im janë përfshirë 10 poezi kushtuar mallit, dashurisë, pendimit, tëhuajësimit, jetës, vdekjes. Fjala është për një dorë poezish mendimore-filozofike që shquhen me lirizëm të theksuar, ndjenja të pakursyera e melankoli të shprehur: Nganjëherë / Më merr malli për kohën / Kur paratë mjaftonin / Vetëm për një gjysmë perde kur përmes xhamit pa perde / Rrezet e ngrohta / Na i gudulisnin faqet (Malli për dritaren e thyer).Në poezinë e kësaj ndarjeje ndërthuren realja me jorealen, tokësorja me qielloren, e njohura me të panjohurën, individualja me të përbashkëtën, kënaqësia me urrejtjen, shpresa me pashpresën, sinqeriteti me ironinë: Është e këshillueshme / Të rritesh me dy prindër / Njëri të mëson si të jetosh / Tjetri të mëson si të vdesësh / Ka hesap t’i kesh / Edhe dy gjyshe / Njëra të mëson si të vuash / Tjetra si të duash(Si të rritemi). Edhe këto poezi sikur edhe të gjithë librin e përshkon një stil që e shquan larmia ligjërimore, erudicioni, figurshmëria e pasur, shumëkuptimësia, gjuha e pasur, ritmi i vargut të lirë.

Poezi e ndjenjave dhe e kujtimeve

Poezia e Merita Përvetica - Lumley në përgjithësi identifikon kohë dhe hapësirë. Ngjarjet që motivojnë këtë poezi janë tepër realiste, por që këtë realizëm poetja e shndërron në art poetik duke e përgjithësuar me përvojën përtej ngjarjeve reale të atdheut të saj. Mund te thuhet, prandaj, ajo qe ndien poetja nuk janë vetëm ndjesitë e saj, ajo që mendon poetja nuk janë vetëm mendimet e saj, ajo që ka përjetuar poetja nuk janë vetëm përjetime e histori vetëm të saj. Kështu, ajo që i ofrohet lexuesit të saj përmes kësaj poezie merr ngjyrën e ndjenjave të veçanta, e  mendimeve shumë vetjake, e përjetimeve dhe e historive krejtësisht tjetër fare. Në këtë hulli, poetja jonë ka arritur jo vetëm të rindërtojë historinë tonë të re, por edhe të nxjerrë mesazhet, mësimet, që duhet të dalin prej kësaj historie, të nxjerrë në të vërtetë mesazhet që dëshiron ajo jo vetëm për veten e për fëmijën e saj, por edhe për gjithë njerëzit e asaj toke e të atij nënqielli: Zoti e bekoftë armikun tim / Furtunën ia bëftë puhi / Përbuzjen ia bëftë dashuri / Zoti e bekoftë armikun tim / Tankun ia bëftë pallat / Minat ia bëftë dukat / Zoti e bekoftë armikun tim / Që unë / Nga urrejtja / Që po ma gërryen shpirtin / Sa më shpejt të gjej shërim, shpëtim (Lutje)

Me dashuri drejt botës

Poetja jonë i bën lexuesit të shohin përtej asaj që shohin e dinë të gjithë, të shohin edhe atë që nuk shihet a që duket jo qartë, i bënë të ndiejnë, të mendojnë dhe të shohin brenda vetes dhe jashtë vetes, të gjejnë rrugën që çon kah njerëzorja, humanja. Lexuesit në këtë rast i mbetet që të gjejë përbashkësitë dhe të veçantat me të tjerët, të plotësojë historinë e përvojën njerëzore me historinë e përvojën e vetë. Në këtë mënyrë ajo ndërton dialog me njerëzit e afërt e të largët, me kohë te shkuara e kohë të ardhshme, në të vërtetë ajo dialogon me hapësira të paskajshme e në kohë të pandalshme. Edhe kur dialogon me të bijën bota e saj nuk është e rrudhur, ajo thyen kufij e pengesa: Kur ti del / Vogëlushja ime / Me çantë në shpinë / E nisesh për ta puthur mëngjesin / Ky pallat përrallor / Zvogëlohet / Tkurret / Vyshket / Si një lule / Që e ka harruar shiu (Princesha). Dhe ky dialog nuk është dialog i ndërlikuara, i paragjykuar, është dialog njerëzor, i hapur, i mirëkuptueshëm, i qartë, i thellë, joparagjykues, jo i bezdisshëm dhe shumë ndjenjor, është dialog me plot dashuri, edhe kur shpreh qortim e pikëllim, edhe kur shpreh zhgënjim e pashpresë, edhe kur flet me mikun a me armikun. Shkurt poezitë e kësaj përmbledhjeje tërheqin vëmendjen me ndershmërinë, sinqeritetin dhe tejndjeshmërinë femërore.

Për poeten dashuria për njeriun, për vendin, për fëmijën, për nënën, për lirinë, për të vërtetën e për jetën nuk humbin vlerën asnjëherë dhe askund. Dashuria në çdo përmasë të jetës e bën poeten të ekzistojë, të zhvillohet dhe të mendojë, jo vetëm pse ajo për nga natyra është e ndjeshme, por pse ajo që ka hyrë në zemrën e në kujtesën e saj që në fëmijërinë e hershme nuk braktiset kurrë. Dashuria e ngjizur që në atë moshë për gjithçka që ka përbërë jetën e saj dhe vendin ku ka lindur e ku është rritur, është bërë pjesë e pandarë e saj e kështu me gjasë do të jetë deri ne fund të jetës. Për poeten tonë me ndjeshmëri të veçantë, si duket, gjithçka është poetike – edhe fjala edhe raporti ndaj botës, edhe mendësia e filozofia jetësore. Kështu na krijohet përshtypja se të gjitha vargjet e  saj janë shkruar me zemër. E zemra e saj është e hapur gjithmonë dhe gjithkund, ndaj gjithçkaje dhe ndaj gjithsecilit. Ky mendim na kushtëzohet duke lexuar jo vetëm poezinëKoleksionistja”: Zemra e saj e pafajshme / E kupton se gurët / Si njerëzit / Janë të gjithë njësoj / Të fortë / Të shkëlqyeshëm / Të çmueshëm, sepse poetja ka zotësinë që edhe ndjenjat më të holla, mendimet më të thella, përjetimet më mbresëlënëse t’i shprehë me fjalë e shprehja më të thjeshta. Këtu qëndron e vlefshmja e kësaj poezie.

Midis fiksionit dhe realitetit

Poezia e Merita Përveticës - Lumley është përplot subjekte, “personazhe”, ngjarje e situata që përbëjnë jetën e individit dhe të popullit shqiptar përgjatë një shekulli e më gjerë, në të vërtetë që përbëjnë fatin individual e kolektiv të truallit shqiptar. Autorja shkruan, shënon, përshkruan përjetimet vetjake, duke mos harruar asnjë çast se ajo është pjesë e një tërësie dhe se përjetimet e saja nuk janë vetëm të sajat, duke mos harruar se fati i saj është edhe fati i tërësisë që i përket. Edhe kur hesht ose kur i bie anash, kujdesshëm, për përjetimet e saja të sotme jetësore, për të cilat dihet e flitet, ajo me sugjestivitet dhe tërheqje mban lexuesin në temperaturën dhe në paduresën që krijon poezia e frymëzuar. Ky bashkim i fiksionit me realitetin mbetet pjesa më tërheqëse e kësaj poezie. Bashkimi i tyre i ndjeshëm zbulohet para lexuesit të vëmendshëm me jolehtësi.

Me lehtësi kryqëzohen kohët e ngjarjet: prej historisë së fillimit dhe paraardhësve e deri te trashëgimtarët pa e zvogëluar interesimin e lexuesit, pa shkëputur vijimësinë tërheqëse të rrëfimit poetik, të rrëfimit të pasur vetjak të një gruaje intelektuale, që sheh e ndien jo gjithmonë me idealizëm ato qe ndodhin e që kanë ndodhur në atdhe. Bota ku përket plotësisht, ku jeton pakushtëzueshëm, dëshmon se ajo ka ndjeshmërinë jo vetëm të një nëne a bije të përkushtuar ndaj jetës së vet dhe jetës së botës që i përket, por edhe të një gruaje me ndjeshmëri artistike, njerëzore e kombëtare.

Duke lexuar poezinë e saj, prandaj, njohim jo vetëm shpirtin e saj, po edhe qenien e saj, njohim edhe shpirtin e qenien e popullit nga ka dalë ajo. Mund te thuhet se poezitë e radhitura brenda këtyre faqeve nuk janë vetëm biografi e saj letrare dhe se ajo e bota e saj nuk jetojnë vetëm brenda poezisë e fjalës poetike. Shumë poezi të saj janë thirrje drejtuar njerëzve të saj që të bëhen më të mirë, më fisnikë, më krenarë, më të qëndrueshëm, që të respektojnë njerëzit me parime e bindje të tjera, me ngjyrë e me besime të tjera, të jenë të ashpër ndaj të vetëve ashtu sikundër janë ndaj dobësive të tjerëve. Për poeten më të rëndësishmet janë liria, besnikëria, guximi e mirësia. Sado të ndryshme poezitë e poetes sonë, nga temat a motivet, ato janë të njëjta, sepse janë kënduar me të njëjtin zë, me të njëjtën ndjeshmëri, me të njëjtë gjuhë: Jam mishi e gjaku yt / Jam mishi e gjaku yt / E pse pra / Nuk jam e fortë si ti? / Në varfëri – gjete gëzim / Në robëri – gjete shpresë / E pse, pra / Në shtëpinë time të ngrohtë / Nën qiellin tim të lirë / Unë këndoj më pak se ti / Dhe kam frikë më shumë se ti?!(“Ku e gjete qëndresën?”)

Për të gjitha ato që u thanë më lart, po e përmbyllim me mendimin se poezia e Merita Përveticës - Lumley përbën vlerë të veçantë në poezinë e sotme shqipe që krijohet brenda e jashtë trojeve shqiptare, si për nga forma ashtu edhe nga përmbajtja. Ajo shpreh frymën e poezisë bashkëkohore me ndjeshmërinë e me vetëdijen qytetare, me stilin dhe me gjuhën. Pa ngurrim e them se kjo përmbledhje e poetes ka përfshirë poezi që shprehin dinjitet e identitet të dalluar poetik për çka me shumë kënaqësi kam pranuar të kem emrin në librin e saj si redaktore.

Prishtinë, 16.2.2014

 

                                                                             Shefkije Islamaj