Kur ma kthen shpinën

Nganjëherë

Kur ndahemi në oborr të shkollës

Unë numëroj orët e ngadalshme

Mes puthjeve e përqafimeve tona.

 

Të shikoj derisa largohesh

Me çantë në shpinë

E më shkon mendja

Te gjithë ato nëna shqiptare

Që kështu kanë shikuar bijtë e bijat e tyre

Duke u larguar

Me çanta në shpinë

 

I kanë shikuar e shikuar

E janë munduar

Të mos rrahin çerpikë

Derisa fëmijët e tyre i ka përpirë 

Pluhuri e errësira

E nuk e kanë ditur

A do t’i shohin më 

Gjallë a vdekur