Kur na humbin gjyshet

Kur të vdesë plaka

Askush nuk do të dijë

Kur duhet gatuar hitheniku

Apo cilat gjethe e lule

Shërojnë cilat sëmundje.

 

Shtëpia do ta harrojë

Erën e pastërmës e të pestilit.

 

Kur të vdesë plaka

Do të vdesin dasmat e kanagjeqet

Defin do ta hanë minjtë në tavan

Askujt nuk do t’i kujtohen këngët tradicionale

Ku nëpër dhoma plot gra e vajza

Nuk mbetej sy pa lot.

 

Kur të vdesë plaka

A do të dinë fëmijët

Pse lyhet muri me fara pjepëri?

 

Troshat e bukës do t’i hedhin në bërllog

E zogjtë e uritur

Më nuk do të sjellin këngë te dritarja