Lamtumirë

Foshnja ime

E ëmbla, e voçkëla e mamit

Sonte do të fle pa ty

Sonte do të na ndajnë përgjithmonë

 

Shtëpia do të heshtë

Si varri yt

 

Lodrat tua

Do të struken në një qoshe

E do të më shikojnë

Herë me pikëllim

Herë me frikë

 

Shtrati im dhe jastëku yt i ftohtë

Tërë natën do të m’i përtypin 

Eshtrat, zemrën, barkun dhe shpresat

Do të m’i përtypin ëndrrat

E në mëngjes do të më pështyjnë

Si kafshatë të hidhur

 

Do të zvarritem deri të dritarja

E do ta lus diellin

Të më verbojë

Që kurrë më të mos e shoh kopshtin

Ku këmbët tua të voçkëla

Nuk vrapuan kurrë